Friday, September 28, 2018

Shoqëri viktimash

Sot në Shtetet e Bashkuara, pritet të merret një vendim i rëndësishëm për të nominuarin e presidentit Trump për anëtar të Gjykatës Supreme. Ditën e djeshme, në komitetet e senatit u diskutua mbi 8 orë në një seancë dëgjimore, ku morën pjesë Brett Kavanaugh dhe Christine Blasey Ford, një psikologe e cila akuzon Kavanaugh se ka tentuar ta përdhunojë rreth 35 vite më parë.

Në një shfaqje të pakëndshme politike, që tregon polarizimin e skajshëm të shoqërisë dhe institucioneve në SHBA, në një kohë të vërtetë dëshpërimi, ku një sërë faktorësh kanë sjellë një armiqësim midis fraksioneve politike dhe mbështetësve të tyre në shoqëri, një grup senatorësh republikanë, të frikësuar dhe nga protestat e mbështetësve të tyre në shtetet ku janë zgjedhur, po konsiderojnë të votojnë kundër vendimit të presidentit duke pranuar dështimin e një kandidature si Kavanaugh, si një figurë e denjë për një nga institucionet më të rëndësishme në SHBA dhe një nga shtyllat e demokracisë amerikane. Vendimi pritet të merret sot, dhe pavarësisht tij, ajo çfarë po ndodh në SHBA, tregon shumë qartë se në shtetin me influencën më të madhe politike në arenën ndërkombëtare, sistemi patriarkal, ai i shëmtuari ku figura e një burri në çfarëdo lloj profesioni vlen shumë herë më shumë se figura e një gruaje në të njëjtin pozicion me të, po tronditet e po kthehet në një sistem që po kundërshtohet jo vetëm nga grupet progresive të shoqërisë, por dhe nga disa nga konservatorët më të "patundshëm" deri dje.

Muajt e fundit janë quajtur nga shumë media të huaja si muajt e parë të epokës #MeToo. Lëvizja që nisi nga Hollywood-i, duket se po përfshin çdo fushë të jetës e jo më vetëm botën e kinematografisë dhe po ia del të përhapet dhe përtej Shteteve të Bashkuara, duke ndërgjejgësuar opinionin publik mbi anët e shëmtuara të sistemit që Kavanaugh dhe shumë të tjerë po përpiqen dëshpërimisht të mbajnë në këmbë.

E nëse do të kthenim sytë nga Shqipëria, është qesharake të thuash se ky sistem po tronditet dhe këtu, sepse në Shqipëri sistemi patriarkal paraqitet shumë më i shëmtuar sesa mund të jetë në perëndim. Struktura jonë e shoqërisë është një hibrid mes patriarkalizmit dhe paternalizmit, e nuk kemi vetëm të bëjmë me burrin mbi gruan, por kryesisht me 1-shin mbi të tjerët.
Xhisiela nuk është viktima e vetme, bashkë me të viktima janë sigurisht dhe policët në një vend ku dinjiteti personal dhe autoriteti i figurës shumëzohen me zero para forcës së 1-shit. Viktimë është vetë deputeti me djalin e tij, se fati i tyre ishte të ekzistonin në këtë hibridin patriarkalo-paternalist, ku ose do jesh me i forti ose do jesh viktima, e në trysninë e shoqërisë për të mos u shtypur me këmbë nga 1-shi, të gjithë duan të bëhen 1-sha, njëri duke denigruar partneren e duke e konsideruar atë si inferiore ndaj vetes, e tjetri duke denigruar autoritetin policor e duke treguar se për të ca ligje të shkruara e ca rregulla që cojnë një shoqëri përpara, s’kanë asnjë vlerë për aq kohë sa ai ka mbështetjen e një sërë viktimave të tjera të sistemit.

Viktima janë dhe gratë deputete, që përvec pasarelave në tapetin e kuq të Kuvendit e ndonjë takimi tek tuk me gra të dhunuara apo përfaqësuese të elektoratit, ku përmendin rëndësinë e grave në Shqipëri e se situata duhet ndryshuar, nuk mbahet mend ndonje veprim konkret i ndërmarrë prej ndonjërës prej tyre, për ndryshimin e situatës që në morinë e viktimave, ka dhe gra të shumta. Pra ashtu si deputeti, djali i deputetit, polici dhe Xhisiela, viktimat u shtuan dhe me 30 e kusur gra, që të grupuara në Aleancën e Grave deputete, nuk ja kupton njeri tamam funksionin që kanë në Parlamentin e Sistemit Hibrid e mbeten po aq të dështuara sa paraqitet dhe vetë sistemi.

Xhisiela është viktimë dhe sidoqoftë e vërteta e saj, nuk mbetet ky krimi i vetëm që mund të jetë kryer ndaj saj. Xhisielën e shumë të tjera si ajo, sot i gjejmë në cdo fushë të jetës e i hasim në rrugë përditë. Janë jo të pakta lajmet e dëgjuara ku vajza të përdhunuara e gra të dhunuara, kanë duruar për vite me rradhë poshtërimin dhe dhunën e janë ndjerë fajtore sepse mekanizmat mbështetës së shoqërisë, duke filluar nga familja e institucionet e deri te media apo politika, nuk duan t’ja dinë nësë vërtet ka ndodhur apo jo dhuna, por duan të dinë arsyen pse dhuna ka ndodhur se siç dëgjojmë rëndom, askush nuk të vret kot e po e kërkove vetë të keqen kështu gjërash priten të ndodhin.


Për Xhisielën nuk duhet mëshirë, nuk duhen deklarata bombastike të grave deputete apo personave me influencë të vërtetë vendimmarrje, nuk duhen rezoluta e nuk duhen as takime me gra te tjera të dhunuara. Për Xhisielën dhe të gjithë viktimat e tjera, madje dhe për djalin e deputetit dhe vetë deputetin, duhet ndryshuar perceptimi jonë mbi viktimën dhe duhet goditur hibridi. Cdo e keqe vjen nga lart, ashtu sic ndodh me cdo vendimmarrje në sistemin paternalist, e në hibridin tonë të përzier dhe me patriarkalizëm, nëse 1-shi ndodh të jetë dhe përfaqësues i “patriarkalizmit” të shëmtuar që përmenda sipër duhet goditur ai si përfaqësues e shtyllë mbajtës i sistemit të shëmtuar. Pavarësisht nëse e ndjen veten liberal ose konservator, të majtë a të djathë, kuptoje që për aq kohë sa vazhdojmë të përkrahim këtë sistem, herët a vonë viktima do jesh ti ose unë, nëse akoma jemi me fat të mos e ndjejmë prej kohësh veten viktimë.
-Kevin J.

No comments:

Post a Comment