Thursday, December 28, 2017

Retrospektivë në 2017

Ndërkohë që mbeten vetëm 3 ditë deri në ardhjen e 2018-ës, në 362 ditët e shkuara, zor të kujtojmë ndonjë rast ku kronika e zezë të mos dominonte faqet e para të lajmeve e ku të flitej për progres e jo regres.

Nuk patëm ditë të shënuara këtë vit, nuk patëm ndryshim e nuk besoj të jemi shumë larg 2016-ës apo viteve të mëparshme.

Si vit zgjedhor që ishte sigurisht politika dominoi 3-4 muaj të këtij viti. Shfaqje të mëdha që nisën e përfunduan njëkohësisht me sezonin artistik në Teatrin Kombëtar, e s’di të them cilat ishin në të vërtetë më të arrirat. Por përtej zhurmës, edhe këtë vit, politika nuk prodhoi asgje tjetër. 

Vazhdojmë të jemi në pritje për një përgjigje pozitive nga BE për hapjen e negociatave, vazhdojmë të mos kemi drejtësi të reformuar. Deputetë me të shkuar kriminale ka sërish në Parlament dhe ky i fundit është kthyer në një përfaqësues të shëmtisë së tranzicionit politik në Shqipëri.

Arsmimi është në ditët e tij më të zeza, shëndetësia vazhdon të mbetet ajo e para 5 apo 10 viteve, dhuna është e pranishme kudo e në disa raste merr dhe përmasa institucionale. Gratë vriten, burrat vriten, të rinjtë e të rejat gjithashtu, shumë të tjerë vazhdojnë të arratisen.
Numri i lindjeve shënoi rekordin më të ulët historik në gati 1 shekull, ekonomia vazhdon të dominohet nga llaci e tullat, media ështe kthyer në marionetë të politikës së bashku me shoqërinë civile, taksat sigurisht janë rritur e bashkë me to dhe indiferenca e qytetarëve.

I vetmi sektor që duket të ketë pësuar rritje në ekonomi është turizmi, por nëse pasuria arkeologjike do vazhdojë të kthehet në qebabtore, parqet natyrore në zona industriale, fushat e bukës në inceneratorë e landfille e lagunat e pasuri të tjera natyrore në resorte betoni, duket se dhe turizmi do filloj të marrë tatpjetën.

Në botë, shtetet e dala tashmë nga tranzicionet politike, po u bashkohen shteteve perëndimore e po krijojnë pole të reja zhvillimi. Fqinjët tanë në Ballkan, si për shembull Serbia, po rrisin influencat e po thithin investime të huaja, po bëjnë dhe hapa para në integrim duke lën pas përcarjet e brendshme politike e duke mbajtur ekuilibra mes lindjes dhe perëndimit. Organizmat ndërkombëtarë flasin për cështje të një rëndësie të madhe si mbrojtja e planetit apo zgjidhjen e konflikteve të reja përmes diplomacisë ndërkohë që politika jonë vetëm mpreh dhëmbët dhe s’di të bëj asgjë tjetër përtej akuzave ndaj palës kundërshtare.

Gjatë vitit të parë të Presidencës së Trump kuptuam se ku të con gjuha e urrejtjes, e përjashtimit dhe e mohimit të së vërtetës. Politika ‘tradicionale’ ku në krye qëndron individi po dështon e gjithmonë e më shumë dhe po shkojmë drejt qeverisjeve më gjithëpërfshirëse.
Shembullin më të gabuar po ndjek dhe Shqipëria, ku vazhdojnë të lavdohen individët, ku zgjidhja që të jep shteti për cdo problem është të largohesh e ku në kuadrin e fasadave që aq shumë i duam, vazhdojnë të na japin birra e bukë me qofte, na gënjejnë me drita e sheshe ndërkohë që mu në hyrje të sheshit qëndrojnë të pastrehët e lypësit që janë fytyra e vërtetë e këtij shteti.

Viti që lam pas ishte njëlloj me vitin 2016 dhe dyshoj që viti i ardhshëm të jetë shumë më ndryshe nga pararendësit e tij.
Dritat do vazhdojnë të ndezura dhe disa ditë, qoftet e birrat do të vazhdojnë të shërbehen, fasadat do të vazhdojnë të rinovohen por cdo vit e më shumë njerëzit do vazhdojnë të ikin e të jenë më të pakët në numër.


Problemi jonë i mbartur nga sistemi i kaluar është se kurrë nuk guxonim të shihnim përtej pragut të shtëpisë sonë. Mesa duket vazhdojmë të mbetemi të njëjtit njerëz. Ndoshta s’dimë të reagojmë, ndoshta nuk duam. Shumë kanë hequr dorë e shumë të tjerë do vazhdojnë të heqin nga e ardhmja në këtë vend. 

Ndërkohë politika do vazhdojë të prodhojë zhurmë e shfaqje, por nëse vazhdojnë kështu do vi dita që s’do ketë mbetur më askush që të ndjekë shfaqjet e tyre teatrale. Gëzuar!


Tuesday, December 12, 2017

Frymëzim nga George Orwell

“Ai që kontrollon të shkuarën, kontrollon edhe të ardhmen. Ai që kontrollon të tashmen, kontrollon të shkuarën”.  1984

“E shkuara është diçka e çuditshme. Ajo është me ty bashkë gjithmonë. Supozoj se nuk kalon asnjë orë pa menduar për gjërat që kanë ndodhur dhjetë apo njëzet vjet më parë dhe sërish në shumicën e kohës nuk bëhet fjalë për realitetin, thjesht për një numër faktesh që ti ke mësuar, si gjëra të nxjerra nga një libër historie”. Coming Up For Air


“Nëse dëshiron të mbash një sekret, duhet ta fshehësh atë edhe nga vetja jote”. 1984


“Njeriu është krijesa e vetme që konsumon pa prodhuar” Ferma e Kafshëve


“Ndoshta një njeri me të vërtetë vdes kur truri i tij ndalon, kur ai humbet fuqitë për të thithur ide të reja”. Coming Up For Air


“Librat më të mirë janë ato që u thonë atë çfarë ju dini”. 1984


“Njeriu i shërben interesit të asnjë krijese tjetër veç vetes së tij”. Ferma e Kafshëve


“Lufta është Paqe. Liria është skllavëri. Injoranca është fuqi”. 1984


“Një njeri duhet të ndryshojë sistemin ose nuk ndryshon asgjë”. Keep The Aspidistra Flying


“Mendo për jetën ashtu si ajo është me të vërtetë, mendo për detajet e jetës dhe pastaj mendo nëse nuk ka kuptim tek ajo, nuk ka qëllim, nuk ka objektiv përveç varrit. Natyrisht vetëm budallenjtë apo ata që gënjejnë veten apo ata jeta e të cilëve ka qenë jashtëzakonisht me fat, mund ta përballin këtë mendim pa u drithëruar?” A Clergyman’s Daughter


“Zgjedhja e njerëzimit qëndron mes lirisë dhe lumturisë dhe për pjesën më të madhe të njerëzimit, lumturia është më e mirë”. 1984


“Një tërmet është kaq shumë qejf kur ka kaluar”. Burmese Days


“Bukuria është e pakuptimtë derisa ajo të ndahet me të tjerët”. Burmese Days


“…qëllimi i nisjes së luftës është gjithmonë të arrish në një pozicion më të mirë nga i cili të nisësh një luftë tjetër”. 1984


Gazeta Shqip