Sunday, September 24, 2017

Ne dhe mendimi i lirë

Zhvillimet teknologjike dhe afrimi i njerëzve me njëri-tjetrin falë saj, më ka dhënë mundësinë mua dhe shumë të rinjve të tjerë të njihemi me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme të botës, që jetojnë në realitete të ndryshme. Pasja e miqve virtualë, nga shumë vende europiane dhe jo vetëm, më jep mundësinë të shoh se si ata argumentohen dhe dinë të mbrojnë opinionet dhe vlerat te të cilat besojnë.

Sot mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani dhe në profilet e miqve të mi gjermanë, shoh se si persona me bindje të ndryshme politike, debatojnë miqësisht mbi programe e premtime, përtej liderit të partisë apo populizmave që gjithmonë shtohen në kohë fushate.
Nuk ka sharje, nuk ka fyerje por ka debat të mirëfilltë, që në vendin tonë dhe në studiot televizive zor se e gjen. Dhe shumica janë të rinj, mosha ime, jo domosdoshmërisht të angazhuar në politikë, por me besim te politika dhe te vet vendi i tyre.
Sa më shumë komente lexoj, aq më shumë keqardhje më vjen për veten dhe miqtë e mi që po rritemi në një vend ku pasja e një mendimi ndryshe, ndoshta jo si shumica, shihet si armiqësi dhe problem që duhet asimiluar. Mendimet duhet të jenë njëlloj si turma dhe në guxoftë njeri të dalë kundër, përjashtohet nga pseudo debatet që bëhen mes individëve, gjithmonë kur ka të tilla.

Sistemi shkollor jofunksional, që si shumë gjëra të tjera dhe arsimimin dhe dhënien e dijeve e sheh dhe e trajton vetëm në fasadë, nuk përgatit brezat me pjesëmarrjen në debat, nuk nxit mendimin dhe shprehjen e lirë dhe kjo gjë nuk ndodh as në universitete që duhet të jenë tempuj të debatit e mendimit të lirë.

Shoqëria jonë është shumë e ndrydhur dhe mendjengushtë dhe për këtë fakt biem dakord të gjithë, viktima ndoshta dhe të një sistemi që për një mori arsyesh nuk u luftua dot dhe la plagë të mëdha që akoma prekin shumë njerëz, por fakti që shumica nuk e di as pse ka një mendim të caktuar apo pse përkrah një ideologji, është më tragjik sesa vetë fati i vendit tonë.
Prandaj dua të pyes turmat dhe ata që bëjnë pjesë në turma: Pse?
Bëjini vetës pyetjen pse! Pse mendoj kështu? A është vërtetë i drejtë ky qëndrim që po mbaj? A duhet të mendoj dhe unë si të tjerët?
Pyesni veten dhe për cdo nënpyetje që do ju dalë nga kjo pyetje, edukohuni. Lexoni, kërkoni, pyesni apo konsultohuni me burimet e shumta të informacionit mbi pyetjet që ju lindin dhe mësoni të mbroni mendimin tuaj.
Jemi të ndrydhur e na mungon liria sepse shoqëria jonë kolektiviste nuk na jep mundësinë të ushqejmë individualitetin tonë e të krijojmë një botë tonën të sigurt nga sulmet që vinë nga jashtë.
Që të vegjël prindërit na rrisin me idenë për tu bërë pjesë e turmave, për tu integruar në shoqëri si të gjithë të tjerët, por nuk na mëson njeri si ta ndryshojmë atë. Na nxisin të përkrahim më të fuqishmit e më të pushtetshmit, edhe nëse vendimet e tyre janë të gabuara, më mirë të bashkohemi me fajtorët sesa të izolohemi me të drejtët.
Nuk dua të merrem me mënyrën e edukimit të prindërve se është temë shumë e gjerë, por cdokush që është i aftë të përdorë një llogari Facebooku, është plotësisht i aftë dhe të edukojë vetveten.

Shprehuni të lirë dhe jini të sinqertë fillimisht me veten, mendoni, reflektoni, argumentoni dhe kini një opinion.  Edhe nëse do ju duket shumë radikal, është më mirë ta kini e të dini ta mbroni, sesa të rrini të heshtur e të bëheni bashkëfajtorë në ndrydhjen e mëtejshme të shoqerisë.

Mbroni mendimin e lirë sa herë shihni dikë që përpiqet t’i dalë kundër kësaj të drejte themelore që shkruhet në muret e shkollave tona, por nuk mësohet si të formohet. Më mirë të ketë kaos nga ideologji të shumtë që s’bien dakord me njëra-tjetrën, sesa kaos nga mungesa e tyre dhe nga gjumi kolektiv që kaplon një popull të paaftë për të mbrojtur veten e tij.

-Kevin

Friday, September 1, 2017

O sa turp me qen shqiptar!


Nesër gjithë Shqipëria do jetë me sytë nga "Elbasan Arena". Të marrosur pas dritave të stadiumit, do shpresojmë për fitore, që të nesërmen të gjakosim profilet në Facebook me foto të flamurit, të Skëndërbeut ose ndonjë rilindasi me ndonjë shprehje patriotike dhe të postojmë këngën e Elvana Gjatës ose Xhamadanin.
Gjakosja e Facebook-ut, do veshi sytë e shumicës e do harrojnë, nëse ndonjëherë e kanë kuptuar, sa turp na vjen sot ta quajmë veten shqiptar.

Pasi të ketë rënë euforia, e nga fotot e flamurit të kalojmë te fotot me flamurin e Francës, do futemi në postimet e portaleve e do fillojmë atë që dimë të bëjmë më mirë, të terrorizojmë njëri-tjetrin me komente e të terrorizohemi nga lajmet e kronikës së zezë, duke filluar gjuetinë e shtrigave për gjetjen e fajtorit për palumturinë e turpin që ndjejmë sot për ta quajtur veten shqiptar.

Disa do ja vendosin fajin qeverisë, ca të tjerë opozitës, shumë do fajësojnë drejtësinë dhe situatën ekonomike. Një pjesë do fajësoj myslimanët, të tjerët katolikët, dikush budistët e shumëkush hebrenjtë. Gjysma do akuzoj gratë, gjysma tjetër burrat. Për disa fajin e ka imoraliteti e për disa të tjerë shoqëria mendjengushtë dhe e ndrydhur. Ca do thërrasin Enverin e Hitlerin, më pas do vinë mbështetësit e Erdoganit, Trump-it, Berluskon-it, Merkel-it e Kim Jong Un-it. 
Në mes të këtyre komenteve del ndonjë trim  që vendos numrin e telefonit, me shpresën e dëshirën e gjetjes së nuses me letra në emigracion dhe është gjithmonë dikush që qetëson gjakërat duke postuar ndonjë foto pëllumbi të bardhë ose ndonjë degë ulliri.

Të gjithë e kanë fajin, vetëm shqiptarët jo. Krenar për historinë e lavdishme e qëndresën e pashoq që kemi bërë kundër pushtuesve. Autoktonë në trojet tona se kështu thoshte droni i Ballistit. Ksenofobë e plot urrejtje se jemi rracë e pastër dhe e papërzier. Seksistë e homofobë se familjen e kemi të shenjtë. Servila e mashtrues se kështu është gjithë Europa. Vrasës, trafikantë, trima e hajdutë se jemi besimtar të devotshëm.

Si mundet një i ri apo e re, që ka akoma një fije shprese për këtë vend, që i bie rasti të jetoj në Shqipëri, të krenohet me këtë vend? Po sikur të na pyesi dikush pse je krenar, si do t’i përgjigjemi?

Për natyrën si themi dot se nuk kemi lënë pemë pa prerë e plazh pa betonizuar. Për historinë si themi dot se nuk e njohim, por e kemi marrë shabllon si të huajt na e kanë shkruar. T’i thuash për kulturë e tradita nuk di t’ia përshkruash. Për njerëzit mund t’i listosh shqiptarët e suksesshëm në botë po më shumë dëgjohet e flitet për mafiozët.
Shyqyr dimë ti biem topit e të paktën ja kalojmë fqinjëve në Ballkan në këtë fushë.

Unë, si dhe shumë të rinj të tjerë, pavarësisht zhgënjimeve e padrejtësive që hasim përditë, dua të jetoj këtu. Nuk ndjej ndonjë patriotizëm të flaktë, po jam i ndërgjegjshëm për problemet që ka ky vend e cilat gjëra duhen ndryshuar.

Po kur sheh rrugët plot me fëmijë që injorohen e keqtrajtohen, që detyrohen të kërkojnë lëmoshë e nuk njohin gjë tjetër përvec urisë si të ndihem krenar?!  Kur dëgjon që ndodhin vrasje përditë e kur kupton që jeta jote vlen më pak se një karikues telefoni, kur njerëz të sëmurë nuk arrijnë të kuptojnë se s’kanë në pronësi jetën e askujt, me kë të krenohem unë?!

Kur përdhoset heroi e lavdohet diktatori, kur shtypen të rinjtë e duartrokiten të korruptuarit, kur nuk protestohet po hahen qofte, ku nuk ka punë por ka skllavëri, kur ikin studentët e kthehen azilantët, ku janë universitetet plot po prodhojmë analfabetë, si ta vendos dhe unë atë flamurin kuq e zi në foton e profilit se s'ma bën dora???

Gjithsesi rëndësi ka të fitojmë ndeshjen nesër, se imagjinoni një zhgënjim më shumë. Të paktën do fitoj Elvana Gjata ca lek më shumë se do i rriten klikimet e shpresojmë të ketë sukses në Hollywood, se i kam shkuar në koncert njëherë, e do kem me kë të krenohem.

-Kevin J.