Tuesday, November 28, 2017

Gëzuar Shqipëri!



Gëzuar 105 vjetorin e Pavarësisë Shqipëri!

Gëzuar të gjithë shqiptarëve që janë në kampe refugjatësh e shqiptarëve që i detyruan këto të fundit të arratisen nga ky vend! 

Gëzuar rilindasve të vjetër e të rinj, gëzuar atyre që ishin para rilindasve e atyre që do vinë!

Gëzuar Habilajve e Balilajve, gëzuar kultivuesve të hashashit e përdoruesve të tyre! 

Gëzuar atyre që do dalin të festojnë në bllok, atyre që do shesin vaj ulliri nga telefoni dhe atyre që do të postojnë këngë patriotike në profile! 
Gëzuar, gëzuar, gëzuar...

Gëzuar nga Valbona që po shkatërrohet, nga Karavastaja që po kthehet në resort turistik e nga qebabtorja e Butrintit! 

Gëzuar nga universitetet që janë fabrika analfabetësh e nga burokratët e administratës që shyqyr o zot po bëjnë një ditë më shumë pushim!
Gëzuar të gjithëve ju që po festoni jashtështetit dhe gëzuar familjeve kriminele që vjedhin energjine elektrike dhe ujin e pijshëm!
Gëzuar dhe fëmijëve të kromit në Bulqizë!


Dhe në fund gëzuar të gjithëve ju që do vendosni në profil flamurin me shqiponjën kineze, Shqipëria dhe Shqiponja ju falenderojnë!




Wednesday, November 22, 2017

Media, nga kazani te tepsia


Para disa vitesh, ne tekstet shkollore të gjimnazit, një një mësim mbi median mësonim se si ajo mban në  supet e saj shtyllën e katërt të pushtetit në demokracitë perëndimore dhe se si media qëndronte mbi ekzekutivin, gjyqësorin e legjislativin, si një kontrolluese e rreptë e interesit qytetar dhe si një siguri për zgjidhjen e çështjeve problematike, të cilat shpeshherë për shkak të karakterit burokratik të shtetit nepërkëmbeshin nga 3 pushtetet e tjera.

Në Shqipëri liria e medias, tashmë e sanksionuar që prej 3 dekadash në Kushtetutë, mbetet po aq inekzistente sa ka qenë në regjimin e kaluar, duke ndryshuar vetëm në aspektin e pasjes së një ligji të shkruar dhe sigurisht të disa institucioneve kontrolluese që i shtohen aparatit burokratik të stërfryrë.

Në botë shohim luftën që media bën me pushtetin, përplasjet që ndodhin mes gazetarëve e politikës, luftës që po i bëhet ‘fake news’ apo se si gazetarë të shteteve të ndryshëm bashkohen për të zbuluar skandale të përmasave të ‘’Panama dhe Paradise Papers” .  
Në Amerikë po rikonceptohen kompetencat de facto të mediave dhe në shtete të ndryshme po përdoret fuqia e tyre për ndryshim, ndërsa në Shqipëri kemi të ashtuquajturin kazan me kazanxhinjtë e tij.

Është e turpshme të quash qindra gazetarë të ndershëm e punëtorë si pjesë të kazanit, por për fatkeqësine e të gjithëve ne, dhe në rastin e emërtimit kazan, vetë media ka treguar se sa e pafuqishme dhe e paaftë është për të ngritur krye dhe për të mbrojtur dinjitetin e saj, e jo më të merret me dinjitetin e interesat e qytetarëve.

Nesë dikush do ndihej i ofenduar, le të më thotë se çfarë shembulli po japin për brezat e rinj, e kryesisht për gazetarët e së nesërmes. 
Nga folësit e lajmeve te moderatorët e emisioneve politike, nga gazetarët e terrenit te drejtorët e informacionit, nëse fëmija juaj do të dëshironte të bëhej gazetar në Shqipërinë e lirë që mesa duket do mbetet në tranzicion dhe për disa dekada të mira, si do ja mbushnit ju mendjen që nuk jeni pjesë e kazanit?

Media sot është shumë më e censuruar se media e para 90-ës, sepse nëse atëherë shërbente si mjet propagande, sot përvec propagandës censuron vetveten dhe të vërtetën.

Ndërkohë që të gjithë ne si qytetar e shohim dhe e kuptojmë se si është katandisur vendi , nga ana tjetër nuk kemi zë të flasim. Sepse në vend që të flasim për negociata, anëtarësim e vlera perëndimore, flasim për kazan, tepsi , brekë dhe atleteve, duke u dystuar pasditeve para kazanit për pak kulturë turke e indiane, se e jona nuk na mjafton. 
Heshtjes sigurisht i shtohet dhe kontributi i medias në lavazhin e trurit, që të turbullon akoma dhe më shumë mendimet e të mbush mendjen se faji s’është i askujt, por vazhdon të mbetet jetim.

Hesht ajo, heshtim dhe ne dhe pas kronikave të zeza 20 sekondshe fillojnë emisionet ku bëhet garë se kush ekran xixëllon më shumë e kush ka sponsorin më të fuqishëm.

Duket sikur media me heshtjen e saj po përpiqet që të shpëtoj nga kazani e të kthehet në kusi, të ketë dhe ajo një copë pushteti të dhënë të gatshëm sa për t’i bër më shumë karshillik qytetarëve e për ti kthyer dhe ajo ato në kukulla të pushtetit të saj, por harron se në fund të fundit dhe tepsia kazan mbetet, thjesht pak më i zbukuruar.


Pra siç kemi kazanin mediatik dhe tepsinë e pushtetit nga njëra anë, kemi dhe kazanin e pushtetit dhe tepsinë mediatike nga ana tjetër dhe vetëm një gjë është e sigurt, që ne bashkë me median do e kemi shumë të vështirë për të shpëtuar nga kazanet, nëse vërtet do ia dalim një ditë t’i përmbysim ato.

Kevin. J
                                                                                                Source: CNN

Tuesday, November 7, 2017

E ardhmja e Ballkanistanit

Janë të ndryshme mjetet që përdoren për matjen e emancipimit të një shoqërie. Përtej variablave ekonomikë apo atyre demografikë, ka një tjetër mjet që për mendimin tim do konsiderohej si më i rëndësishmi: njohja e historisë së shoqërisë nga vetë antarët e saj dhe evidentimi i gabimeve e mësimi prej tyre.

Në botën e zhvilluar perëndimore, koncepte si shteti komb, homogjeniteti i popullsisë dhe ndarja e qartë e kufijve, po shihen gjithmonë e më shumë si anti vlera.

Në botën tonë të vogël shqiptare e atë pak më të madhe të Ballkanit, akoma diskutohet për kufi midis shteteve e bëhet garë se kush prej copëzave të barutit që përbëjnë rajonin, do të shpërthejë më shpejt.
Përgjatë gjithë rrjedhës së historisë bashkëkohore e moderne, pa dyshim mund të themi që kemi qenë rajoni me më shumë konflikte në të gjithë Europën, të cilat shpeshherë përfunduan në luftra të përgjakshme e masakra të bëra në emër të kombit.
Fakti që në ditët e sotme, vazhdojmë të mbetemi brenda koncepteve primitive ku njëri shtet i bën karshillëk tjetrit apo përpiqet të bëj politikën duke parë reagimin e popujve fqinj, e jo të popullit të vet, tregon se sa prapa jemi përsa i përket emancipimit dhe integrimit në shoqëritë perëndimore.

Fakti që Ballkani ende mbetet një rajon ku përpiqen të ndryshohen kufijtë, e ku këta të fundit janë si tela me gjemba më shumë se si nocione gjeografike, tregon se sa të kufizuar e kemi vizionin për të ardhmen tonë ne si ballkanas.
Interesat gjeopolitike të shteteve të mëdha sigurisht që nuk na kanë kursyer, duke nxitur gjithmonë e më shumë urrejten mes popujve përmes mjeteve indirekte e duke na ngulitur në mendje pamjen se sa të rrezikshëm janë fqinjët për sovranitetin e të ardhmen e shteteve tona. Këto shtete, të cilët në pamje të parë duken si barinjtë e mirë që përpiqen të pajtojnë popujt, nga ana tjetër janë duke hedhur thesin me kocka në mes, pasi për shekuj me rradhë na lanë të uritur.
Dritëshkurtësia e liderëve tanë, të cilët nga sofra e Erdoganit dhe paradat e Putinit kthejnë sytë nga Europa si të ishte Perëndia vetë, japin përshtypjen e gabuar se shpëtimi mund të vi vetëm nga Europa dhe shpeshherë verbohemi prej blusë së shndritshme të flamurit europian dhe e shohim dhe integrimin në BE më shumë si një garë se kush arrin i pari sesa si një proces zhvillimi, emancipimi e pajtimi.

Në të vërtetë jemi shumë më të ngjashëm sesa mendojmë.

Jemi shtete në rimëkëmbje, disa nga luftërat, disa nga regjimet diktatoriale e thuajse të gjithë nga kriza të brendshme politike dhe ekonomike.
Jemi shtete me një histori shumë të pasur, që edhe pse të pushtuar prej perandorive të mëdha, kemi ditur për shekuj të tërë të ruajmë kulturat, gjuhën dhe identitetin tonë. Jemi viktima të politikave të të huajve.

Jemi viktima të vetvetes, sepse pavarësisht eksperiencave që kemi nga luftërat dhe sistemet e kaluara dhe tmerret që kemi parë me sy, akoma nuk arrijmë të bindemi se zgjidhjen e shumicës së problemeve e kemi midis nesh. Jemi dhe viktima të karakterit tonë si popuj ballkanas, që për shkak të krenarisë së sëmurë që kemi, nuk dimë të kërkojmë falje e të shtrijmë dorën në ndihmë të njëri-tjetrit.

Duhet të kuptojmë se shpëtimi nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë Europa, por hapja e mendjeve tona drejt konceptimit të Ballkanit si dicka më shumë sesa thjesht një rajon gjeografik.
Shpëtimi duhet të vi nga brezat e lindur në dekadat e fundit, të cilët panë marrëzinë se ku të con dëshira për pushtet e se sa e vështirë është të kalosh një krizë kur të gjithë të kthejnë shpinën.

Serbi e Greku s’janë armiqtë tanë më të mëdhenj, se historia ka dëshmuar që si në rastin e Shqipërisë, por dhe të fqinjëve, armiqtë më të mëdhenjë erdhën nga brenda vendit e nuk ishin të huaj.
Ashtu sic koncepti mbi Ballkanin duhet të ndryshoj, duhet të ndryshoj dhe koncepti që secili prej nesh ka për popullin, kombin, madhështinë e dikurshme të tyre apo pallavrat e demagogjitë qofshin ato fetare apo politike.

Jemi më të ngjashëm sesa mendojmë sepse kemi interesa të përbashkëta, e përpos gjuhës që është një nga vecoritë për të cilën historia ka dëshmuar se mund të kthehet në mjet bashkimi më shumë sesa mjet ndarjeje mes popujve, nuk ka asgjë tjetër që sot ndan një serb nga një malazez, shqiptar, boshnjak, bullgar apo grek. Mjafton që të shohim përtej flamujve dhe të kthejmë sytë nga e ardhmja duke mësuar mirë leksionet e marra nga e kaluara.
-Kevin J.