Monday, January 22, 2018

28%

Është e vështirë për Shqipërinë që t’i përmendet emri në arenën ndërkombëtare.
Një shtet i varfër në një rajon të harruar të Europës, i cili vazhdon i zhytyr në tranzicion e me një popullsi që di vetëm të emigrojë, nuk prodhon më lajm.

Ka plot ‘shithole countries’ (shtete hale), të cilët edhe pse me probleme të shumta e të rrënuara ekonomikisht, sërish paraqesin më potencial për perëndimin dhe shtetet e mëdha.

Sa herë dalim jashtë e ndeshemi me botën e zhvilluar, na mërzisin stereotipet e paragjykimet për veten tonë dhe përpiqemi t’i ndryshojmë mendjen njerëzve se nuk jemi aq keq sa na mendojnë.

Në këto kohë të sotme pasigurie politike, kur arsenali bërthamor përdoret si gur shahu mes shteteve të armatosura, shtetet mediokre e të paformuara mirë si ky i yni, të vetmen gjë që mund të bëjnë, është tifozllëku e duartrokitja.

Popujt gjaknxehtë ballkanas, e kanë shumë të vështirë të rrinë larg konflikteve. Kemi një dëshirë të madhe për tu polarizuar e për t’i dhënë vetes më shumë rëndësi e peshë se sa kemi në të vërtetë. Liderët e ballkanit janë liderë të përmasave botërore, por që fatkeqësisht janë të detyruar të drejtojnë shtete pa peshë në politikën botërore.

Duke kërkuar të shpëtojmë nga realiteti shqiptar, gjithmonë kthejmë sytë nga perëndimi e nën efektin e adrenalinës që na jep tifozllëku, pasionohemi aq shumë për qeverisjet dhe qeverisësit e shteteve të tjera, sa lemë në harresë kollosët ballkanas të mendimit politik.

Në kronikat e Rait dhe lajmet e CNN, gjatë raportimit të një lajmi mbi popullaritetin në rënie të Presidentit Trump dhe politikave të tij, publikoheshin edhe disa pamje të një grupi të hareshëm shqiptarësh, të cilët me dajre e daulle kërcenin rreth flamurit kuq e zi, në një rrugë të paasfaltuar e me një karrocë me kuaj, e cila dukej tejet moderne për katundin e sotshëm shqiptar.
Pamjet tregonin mbi popullin ku Donald Trump kishte përkrahjen më të madhe. Kosova dhe Shqipëria, arritën të bëjnë më në fund lajm.

72% e shqiptarëve të Shqipërisë, sipas Gallup, përkrahin qeverisjen e Trump.
Shqiptarët e Shqipërisë, që bëjnë plazh ditën e zgjedhjeve, që votën e shesin për një rimbushje celulari e që vrasin e vriten me njëri-tjetrin për një vijë uji, përkrahin Trump. Shqiptarët që dinë të qeverisin vendin e tyre, që dinë të zgjedhin e të zgjidhen, që duan Europën po aq sa dhe tregun Gabi, janë në krye të listës.
Flasim për shqiptarët që nuk duan korrupsionin, edhe pse mbajnë gjithmonë dorën në xhep për t’i dhënë një kafe funksionarit të parë që u del përpara. Ata që duan drejtësi, por që mezi presin të ta fusin e që duan barazi, por akoma s’dinë të mbajnë rradhë.

Demokracia shqiptare, i përplasi në fytyrë botës perëndimore, e cila është viktimë e konspiracioneve të forcave liberale, vlerat dhe përkrahjen për një prej politikanëve botëror, të denjë për të qenë kollos ballkanik.

E në momentin kur dëgjon lajme të tilla, e u shton atyre dhe realitetin shqiptar e aktualitetin e lajmeve tona, fillon të kuptosh stereotipet e mendon se ndoshta këto stereotipe janë dicka më shumë sesa thjesht paragjykime të pabazuara në fakte.

Por sërish, mbetet 28% e popullsisë, që mendon ndryshe nga pjesa më e madhe, dhe për një shoqëri baritore si kjo e jona, kjo shifër është padyshim ngushëlluese dhe shpresëdhënëse.
28% që mendon si shumica e qytetarëve të vendeve të zhvilluara, jo detyrimisht ka të drejtë, se është ende herët për të gjykuar një qeverisje që sapo mbushi një vit, por të jep shpresë se ndoshta kjo përqindje mund të sjellë një ditë një frymë të re e të ndërgjegjshme, e cila di të jetë skeptike, di dhe guxon të mendojë ndryshe nga më i forti dhe e kupton se cilat janë mendimet dhe idealet, për të cilat ja vlen të luftosh.
Kevin






Monday, January 8, 2018

Golden Globes dhe fuqia e Hollywood për të sjellë ndryshim

Të gjithë të veshur me të zeza, në nderim të viktimave të ngacmimit seksual. Kjo ishte nata e edicionit të 75-të të Golden Globes, ku Frances McDormand dhe Gary Oldman triumfuan si aktorja dhe aktori më i mirë.

“Three Billboards Outside Ebbing, Missouri” triumfoi si produksioni i vitit, Guillermo del Toro mori çmimin si regjizori me i mirë ndërsa “The Handmaid’s Tale” triumfoi si seriali më i mirë dramatik.

Por për herë të parë, nuk iu kushtua vëmendja e plotë fituesve, por të gjithë pjesëmarrësve, të cilët treguan se një epokë e re ka ardhur për Hollywood-in dhe industrinë e filmave në tërësi.
Personazhi më i përfolur i ditës së djeshme ishte padyshim Oprah, e cila vazhdon të mbetet një nga personat më me influencë të ekranit të madh.

“Një ditë e re është në horizont”. Kështu e mbylli fjalimin e saj Oprah, si një kujtesë dhe nderim për lëvizjet të cilat dominuan vitin e shkuar në ShBA. “Me Too”, ishte iniciativa, e cila tronditi themelet e Hollywood-it dhe të gjithë shoqërisë amerikane.

Ndërkohë që skandalet dhe lëvizjet që po reagojnë ndaj tyre, po sjellin një erë të re të reagimit të shoqërisë ndaj padrejtësisë, në Washington, administrata e Trump vazhdon përpjekjet për kthimin e çdo ligji të administratës së shkuar, të cilat dhe pse jashtë parimeve konservatore të kabinetit të tanishëm, sollën ndryshim të vërtetë në Amerikë. Shumë nisma ligjore të administratës së shkuar sollën triumfin e kauzave të drejta sociale, të cilat bota perëndimore po i kthen sot në norma të shoqërisë.

Industria më fitimprurëse në Amerikë, që shërben si një shembull i diversitetit dhe rëndësisë që ajo ka për shoqërinë e sotme moderne, i dha një shuplakë të gjithë sistemit të aktual, ku antivlera vazhdon të promovohet si vlerë dhe detyron shumë persona që nuk kanë zë, të heshtin, të nënshtrohen, të bëhen pjesë e sistemit dhe ta kenë të pamundur të mbrojnë veten. U desh një lëvizje e tërë, u desh të zbulohej skandali i Harvey Weinstein, që të krijohej lëvizja #MeToo dhe që sot, personat më me influencë në ShBA, por që kanë ndikim dhe në një gjeneratë të tërë njerëzish në të gjithë botën, të nisin një revolucion të ri për t’i dhënë fund tiranisë së më të fuqishmëve dhe heshtjes.

Seth Meyers, prezantuesi i shfaqjes, përdori monologjet e tij si një formë proteste ndaj arrogancës me të cilën politika merr vendimet e saj. “Më në fund lejohet përdorimi i marijuanës dhe është i ndaluar ngacmimi seksual” ishte një prej shprehjeve që u bë menjëherë trend në rrjetet sociale. Ai foli për procesin e ndërrimit të elitës së Hollywood, për t'i dhënë më shumë fuqi lëvizjeve të saponisura.

Bashkë me të, të gjithë prezantuesit e çmimeve, në një mënyrë ose në një tjetër treguan fuqinë që ka Hollywood për të sjellë ndryshim. Iniciativa “Time’s Up”, e zërave më të fuqishëm brenda industrisë, ka mbledhur në ditët e para të krijimit të saj, plot 15 milionë dollarë, të cilat do të përdoren për mbrojtjen dhe financimin e politikave kundër ngacmimit seksual dhe kundër gjuhës së urrejtjes.

Hollywood po lufton për lirinë e të shprehurit dhe po mbron median ndaj akuzave që po bëhen trend i kohëve të fundit.
Hollywood po kthehet në kundërshtarin më të fortë të fanatizmit dhe parimeve që nuk kanë vend jo vetëm në Amerikë, por në asnjë vend demokratik, përfshirë dhe vendin tonë i cili vazhdon të mbajë një sy të mbyllur, kur bëhet fjalë për respektimin e të drejtave të njeriut dhe gjithëpërfshirje.

Sezoni i ceremonive të ndarjes së çmimeve sapo ka filluar, dhe bashkë me të dhe lëvizjet për të sjellë ndryshim, të cilat po i bëjnë ballë përpjekjeve të politikës botërore për të ruajtur status quo-në dhe për të thelluar padrejtësinë që sot na rrethon të gjithëve.


                                                                        Video Source: Washingtopn Post


-Kevin