Monday, January 22, 2018

28%

Është e vështirë për Shqipërinë që t’i përmendet emri në arenën ndërkombëtare.
Një shtet i varfër në një rajon të harruar të Europës, i cili vazhdon i zhytyr në tranzicion e me një popullsi që di vetëm të emigrojë, nuk prodhon më lajm.

Ka plot ‘shithole countries’ (shtete hale), të cilët edhe pse me probleme të shumta e të rrënuara ekonomikisht, sërish paraqesin më potencial për perëndimin dhe shtetet e mëdha.

Sa herë dalim jashtë e ndeshemi me botën e zhvilluar, na mërzisin stereotipet e paragjykimet për veten tonë dhe përpiqemi t’i ndryshojmë mendjen njerëzve se nuk jemi aq keq sa na mendojnë.

Në këto kohë të sotme pasigurie politike, kur arsenali bërthamor përdoret si gur shahu mes shteteve të armatosura, shtetet mediokre e të paformuara mirë si ky i yni, të vetmen gjë që mund të bëjnë, është tifozllëku e duartrokitja.

Popujt gjaknxehtë ballkanas, e kanë shumë të vështirë të rrinë larg konflikteve. Kemi një dëshirë të madhe për tu polarizuar e për t’i dhënë vetes më shumë rëndësi e peshë se sa kemi në të vërtetë. Liderët e ballkanit janë liderë të përmasave botërore, por që fatkeqësisht janë të detyruar të drejtojnë shtete pa peshë në politikën botërore.

Duke kërkuar të shpëtojmë nga realiteti shqiptar, gjithmonë kthejmë sytë nga perëndimi e nën efektin e adrenalinës që na jep tifozllëku, pasionohemi aq shumë për qeverisjet dhe qeverisësit e shteteve të tjera, sa lemë në harresë kollosët ballkanas të mendimit politik.

Në kronikat e Rait dhe lajmet e CNN, gjatë raportimit të një lajmi mbi popullaritetin në rënie të Presidentit Trump dhe politikave të tij, publikoheshin edhe disa pamje të një grupi të hareshëm shqiptarësh, të cilët me dajre e daulle kërcenin rreth flamurit kuq e zi, në një rrugë të paasfaltuar e me një karrocë me kuaj, e cila dukej tejet moderne për katundin e sotshëm shqiptar.
Pamjet tregonin mbi popullin ku Donald Trump kishte përkrahjen më të madhe. Kosova dhe Shqipëria, arritën të bëjnë më në fund lajm.

72% e shqiptarëve të Shqipërisë, sipas Gallup, përkrahin qeverisjen e Trump.
Shqiptarët e Shqipërisë, që bëjnë plazh ditën e zgjedhjeve, që votën e shesin për një rimbushje celulari e që vrasin e vriten me njëri-tjetrin për një vijë uji, përkrahin Trump. Shqiptarët që dinë të qeverisin vendin e tyre, që dinë të zgjedhin e të zgjidhen, që duan Europën po aq sa dhe tregun Gabi, janë në krye të listës.
Flasim për shqiptarët që nuk duan korrupsionin, edhe pse mbajnë gjithmonë dorën në xhep për t’i dhënë një kafe funksionarit të parë që u del përpara. Ata që duan drejtësi, por që mezi presin të ta fusin e që duan barazi, por akoma s’dinë të mbajnë rradhë.

Demokracia shqiptare, i përplasi në fytyrë botës perëndimore, e cila është viktimë e konspiracioneve të forcave liberale, vlerat dhe përkrahjen për një prej politikanëve botëror, të denjë për të qenë kollos ballkanik.

E në momentin kur dëgjon lajme të tilla, e u shton atyre dhe realitetin shqiptar e aktualitetin e lajmeve tona, fillon të kuptosh stereotipet e mendon se ndoshta këto stereotipe janë dicka më shumë sesa thjesht paragjykime të pabazuara në fakte.

Por sërish, mbetet 28% e popullsisë, që mendon ndryshe nga pjesa më e madhe, dhe për një shoqëri baritore si kjo e jona, kjo shifër është padyshim ngushëlluese dhe shpresëdhënëse.
28% që mendon si shumica e qytetarëve të vendeve të zhvilluara, jo detyrimisht ka të drejtë, se është ende herët për të gjykuar një qeverisje që sapo mbushi një vit, por të jep shpresë se ndoshta kjo përqindje mund të sjellë një ditë një frymë të re e të ndërgjegjshme, e cila di të jetë skeptike, di dhe guxon të mendojë ndryshe nga më i forti dhe e kupton se cilat janë mendimet dhe idealet, për të cilat ja vlen të luftosh.
Kevin






No comments:

Post a Comment