Thursday, May 10, 2018

Nevoja urgjente për legalizimin e kanabisit në Shqipëri


Vitet 90’ e gjetën Shqipërinë të papërgatitur në shumë fusha, të cilat njëra pas tjetrës filluan të shkaktojnë plagë të rënda sociale që na kanë sjellë në këtë gjendje pesimiste ku jemi sot, ku pozitiviteti dhe rritja e mirëqënies apo treguesve të ndryshëm ekonomikë e social, shpaloset vetëm në statistikat e INSTAT-it. 

Një fenomen që na ka ndjekur pa ndërprerje gjatë këtyre 3 dekadave, e që ka qenë i pranishëm në rritjen e disa brezave tashmë, ka qenë qasja e lirë ndaj bimëve narkotikëve, nga kanaboidet e deri te drogërat më të forta. 

Elementët kriminal të shoqërisë kanë ditur të shfrytëzojnë më së miri mosdijen e popullsisë e duket se sot po krijojnë një qeveri, zor ta quash të nëndheshme, e cila pazaret dhe trafikimin e ka të mirëorganizuar e madje ndonjëherë konkuron denjësisht dhe burokracinë institucionale.

Pjesë e mosdijes dhe ushqyese e saj, bëhet sigurisht dhe politika, e cila në retorikën e saj të përditshme, me papërgjegjshmërinë më të madhe, e kthen kanabizimin e vendit në pjesë të diskursit politik, pa ofruar zgjidhje e vetëm duke hedhur akuza nga njëri kamp politik në tjetrin.

Disa kilometra larg Tiranës, kryeministri i Maqedonisë fqinje, në vitin e dytë të legalizimit të kanabisit për përdorim farmaceutik në vend, lëshon një deklaratë të guximshmë në mbështetje të lehtësirave të mëtejshmë për 'industrinë' e kanabisit. Nuk besoj se politikanët e Maqedonisë fqinje, kanë më eksperiencë në politikëbërje se kollosët tanë të mendimit politik, nuk besoj as se populli maqedonas është më i emancipuar e më i informuar në tema të tilla, por padyshim politika që Maqedonia po ndjek ndaj fenomenit të izoluar të kultivimit të narkotikëve në vend, është shembull për tu ndjekur.

Në një raport mbi prodhimin e paligjshëm të kanabisit në Maqedoni, thuhet se ky kultivim është sporadik e thuajse inekzistent, pasi kanabisi i mbjellë në Shqipëri është i një cilësie superiore dhe mjafton për të plotësuar nevojat e tregut maqedon.
Me pak fjalë, ajo Maqedonia që shumë na bezdis, që shpëshherë merret si shembull negativ i ecurisë së një vendi në Ballkan, ditka të bëj politika të zgjuara, t’i implementojë ato dhe madje dhe të shfrytëzojë ‘fatkeqësinë’ e Shqipërisë fqinje për interesat e saj ekonomikë. Ata fatkeqësinë tonë e kthejnë në industri, ne industrinë e kemi akoma në nivele të prodhimit dhe krehjes së leshit industrial.

Në 2018, rinia shqiptare nuk është më aq e painformuar për narkotikët, e fatkeqësisht ky informim nuk ka ardhur as nga familja e as nga shkolla, por nga vetë shoqëria dhe eksperiencat e përplasjes së brezave të ndryshëm me narkotikët, për shumë prej të cilëve, kemi akoma frikë tu përmendim emrin.

Sot ndihem vërtet i lumtur që midis bashkëmoshatarëve të mi, ka shumë djem dhe vajza mjaftueshëm të informuar, të cilët dinë efektet pozitive dhe negative të së gjithë substancave narkotike, mes tyre dhe duhanit. Ndërkohë që duhani importohet e eksportohet, taksohet dhe reklamohet në forma të ndryshme e është prezent në shumë familje, kur vjen fjala te kanabisi, burgjet vazhdojnë të mbushen me adoleshentë dhe injoranca vazhdon të thellohet dhe më shumë, kur përpara një fenomeni kaq të përhapur dhe pjese të jetës së përditshme, lehtësisht të aksesueshëm dhe ndaj së cilit ekspozimi është i pashmangshëm, politika jonë bën atë që di të bëjë më mirë, të jëtë shterp dhe e pafuqishme për të vepruar.

Përpos rinisë së larguar tashmë nga vendi e që zor të kthehet apo të dojë të qëndrojë këtu, një numër shumë i madh të rinjsh që jetojnë në Shqipëri, rrezikojnë përditë të bëhen viktimë e injorancës dhe paaftësisë politike të vendit për të gjetur zgjidhje, rrezikojnë të përfundojnë në burg e të kthehen në kriminelë të ‘shkolluar’, vetëm prej kokëfortësisë së disa individëve që fatkeqësishtë drejtojnë këtë vend.

Kanabizimi ka ndodhur e nuk ka më kthim pas dhe sa të gjejmë fajtorët e se kush mbolli farën e parë të hashashit, le të fokusohemi në zgjidhje të mirëfillta e afatgjata, që përvec se do sillnin një super përfitim ekonomik për vendin, do të dekriminalizonin një veprimtari që sot është bërë e rëndomtë për shumë individë e familje.

I legalizuar apo i pa legalizuar, era e hashashit të ndjek në cdo oborr shkolle e shkallë pallati dhe sinqerisht shteti ynë e ka provuar me dhjetëra herë se është i paaftë në ndërgjegjësimin e qytetarëve për efektin negativ të narkotikëve (rasti i konsumimit të duhanit), prandaj boll me retorikë boshe politike, nuk duam të bëni ndonjë mrekulli, por sikur fqinjët të ndiqnim në disa aspekte të politikbërjes, do jetonim definitivisht në një vend më të mirë.
-Kevin

No comments:

Post a Comment