Wednesday, November 22, 2017

Media, nga kazani te tepsia


Para disa vitesh, ne tekstet shkollore të gjimnazit, një një mësim mbi median mësonim se si ajo mban në  supet e saj shtyllën e katërt të pushtetit në demokracitë perëndimore dhe se si media qëndronte mbi ekzekutivin, gjyqësorin e legjislativin, si një kontrolluese e rreptë e interesit qytetar dhe si një siguri për zgjidhjen e çështjeve problematike, të cilat shpeshherë për shkak të karakterit burokratik të shtetit nepërkëmbeshin nga 3 pushtetet e tjera.

Në Shqipëri liria e medias, tashmë e sanksionuar që prej 3 dekadash në Kushtetutë, mbetet po aq inekzistente sa ka qenë në regjimin e kaluar, duke ndryshuar vetëm në aspektin e pasjes së një ligji të shkruar dhe sigurisht të disa institucioneve kontrolluese që i shtohen aparatit burokratik të stërfryrë.

Në botë shohim luftën që media bën me pushtetin, përplasjet që ndodhin mes gazetarëve e politikës, luftës që po i bëhet ‘fake news’ apo se si gazetarë të shteteve të ndryshëm bashkohen për të zbuluar skandale të përmasave të ‘’Panama dhe Paradise Papers” .  
Në Amerikë po rikonceptohen kompetencat de facto të mediave dhe në shtete të ndryshme po përdoret fuqia e tyre për ndryshim, ndërsa në Shqipëri kemi të ashtuquajturin kazan me kazanxhinjtë e tij.

Është e turpshme të quash qindra gazetarë të ndershëm e punëtorë si pjesë të kazanit, por për fatkeqësine e të gjithëve ne, dhe në rastin e emërtimit kazan, vetë media ka treguar se sa e pafuqishme dhe e paaftë është për të ngritur krye dhe për të mbrojtur dinjitetin e saj, e jo më të merret me dinjitetin e interesat e qytetarëve.

Nesë dikush do ndihej i ofenduar, le të më thotë se çfarë shembulli po japin për brezat e rinj, e kryesisht për gazetarët e së nesërmes. 
Nga folësit e lajmeve te moderatorët e emisioneve politike, nga gazetarët e terrenit te drejtorët e informacionit, nëse fëmija juaj do të dëshironte të bëhej gazetar në Shqipërinë e lirë që mesa duket do mbetet në tranzicion dhe për disa dekada të mira, si do ja mbushnit ju mendjen që nuk jeni pjesë e kazanit?

Media sot është shumë më e censuruar se media e para 90-ës, sepse nëse atëherë shërbente si mjet propagande, sot përvec propagandës censuron vetveten dhe të vërtetën.

Ndërkohë që të gjithë ne si qytetar e shohim dhe e kuptojmë se si është katandisur vendi , nga ana tjetër nuk kemi zë të flasim. Sepse në vend që të flasim për negociata, anëtarësim e vlera perëndimore, flasim për kazan, tepsi , brekë dhe atleteve, duke u dystuar pasditeve para kazanit për pak kulturë turke e indiane, se e jona nuk na mjafton. 
Heshtjes sigurisht i shtohet dhe kontributi i medias në lavazhin e trurit, që të turbullon akoma dhe më shumë mendimet e të mbush mendjen se faji s’është i askujt, por vazhdon të mbetet jetim.

Hesht ajo, heshtim dhe ne dhe pas kronikave të zeza 20 sekondshe fillojnë emisionet ku bëhet garë se kush ekran xixëllon më shumë e kush ka sponsorin më të fuqishëm.

Duket sikur media me heshtjen e saj po përpiqet që të shpëtoj nga kazani e të kthehet në kusi, të ketë dhe ajo një copë pushteti të dhënë të gatshëm sa për t’i bër më shumë karshillik qytetarëve e për ti kthyer dhe ajo ato në kukulla të pushtetit të saj, por harron se në fund të fundit dhe tepsia kazan mbetet, thjesht pak më i zbukuruar.


Pra siç kemi kazanin mediatik dhe tepsinë e pushtetit nga njëra anë, kemi dhe kazanin e pushtetit dhe tepsinë mediatike nga ana tjetër dhe vetëm një gjë është e sigurt, që ne bashkë me median do e kemi shumë të vështirë për të shpëtuar nga kazanet, nëse vërtet do ia dalim një ditë t’i përmbysim ato.

Kevin. J
                                                                                                Source: CNN

No comments:

Post a Comment