Tuesday, November 7, 2017

E ardhmja e Ballkanistanit

Janë të ndryshme mjetet që përdoren për matjen e emancipimit të një shoqërie. Përtej variablave ekonomikë apo atyre demografikë, ka një tjetër mjet që për mendimin tim do konsiderohej si më i rëndësishmi: njohja e historisë së shoqërisë nga vetë antarët e saj dhe evidentimi i gabimeve e mësimi prej tyre.

Në botën e zhvilluar perëndimore, koncepte si shteti komb, homogjeniteti i popullsisë dhe ndarja e qartë e kufijve, po shihen gjithmonë e më shumë si anti vlera.

Në botën tonë të vogël shqiptare e atë pak më të madhe të Ballkanit, akoma diskutohet për kufi midis shteteve e bëhet garë se kush prej copëzave të barutit që përbëjnë rajonin, do të shpërthejë më shpejt.
Përgjatë gjithë rrjedhës së historisë bashkëkohore e moderne, pa dyshim mund të themi që kemi qenë rajoni me më shumë konflikte në të gjithë Europën, të cilat shpeshherë përfunduan në luftra të përgjakshme e masakra të bëra në emër të kombit.
Fakti që në ditët e sotme, vazhdojmë të mbetemi brenda koncepteve primitive ku njëri shtet i bën karshillëk tjetrit apo përpiqet të bëj politikën duke parë reagimin e popujve fqinj, e jo të popullit të vet, tregon se sa prapa jemi përsa i përket emancipimit dhe integrimit në shoqëritë perëndimore.

Fakti që Ballkani ende mbetet një rajon ku përpiqen të ndryshohen kufijtë, e ku këta të fundit janë si tela me gjemba më shumë se si nocione gjeografike, tregon se sa të kufizuar e kemi vizionin për të ardhmen tonë ne si ballkanas.
Interesat gjeopolitike të shteteve të mëdha sigurisht që nuk na kanë kursyer, duke nxitur gjithmonë e më shumë urrejten mes popujve përmes mjeteve indirekte e duke na ngulitur në mendje pamjen se sa të rrezikshëm janë fqinjët për sovranitetin e të ardhmen e shteteve tona. Këto shtete, të cilët në pamje të parë duken si barinjtë e mirë që përpiqen të pajtojnë popujt, nga ana tjetër janë duke hedhur thesin me kocka në mes, pasi për shekuj me rradhë na lanë të uritur.
Dritëshkurtësia e liderëve tanë, të cilët nga sofra e Erdoganit dhe paradat e Putinit kthejnë sytë nga Europa si të ishte Perëndia vetë, japin përshtypjen e gabuar se shpëtimi mund të vi vetëm nga Europa dhe shpeshherë verbohemi prej blusë së shndritshme të flamurit europian dhe e shohim dhe integrimin në BE më shumë si një garë se kush arrin i pari sesa si një proces zhvillimi, emancipimi e pajtimi.

Në të vërtetë jemi shumë më të ngjashëm sesa mendojmë.

Jemi shtete në rimëkëmbje, disa nga luftërat, disa nga regjimet diktatoriale e thuajse të gjithë nga kriza të brendshme politike dhe ekonomike.
Jemi shtete me një histori shumë të pasur, që edhe pse të pushtuar prej perandorive të mëdha, kemi ditur për shekuj të tërë të ruajmë kulturat, gjuhën dhe identitetin tonë. Jemi viktima të politikave të të huajve.

Jemi viktima të vetvetes, sepse pavarësisht eksperiencave që kemi nga luftërat dhe sistemet e kaluara dhe tmerret që kemi parë me sy, akoma nuk arrijmë të bindemi se zgjidhjen e shumicës së problemeve e kemi midis nesh. Jemi dhe viktima të karakterit tonë si popuj ballkanas, që për shkak të krenarisë së sëmurë që kemi, nuk dimë të kërkojmë falje e të shtrijmë dorën në ndihmë të njëri-tjetrit.

Duhet të kuptojmë se shpëtimi nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë Europa, por hapja e mendjeve tona drejt konceptimit të Ballkanit si dicka më shumë sesa thjesht një rajon gjeografik.
Shpëtimi duhet të vi nga brezat e lindur në dekadat e fundit, të cilët panë marrëzinë se ku të con dëshira për pushtet e se sa e vështirë është të kalosh një krizë kur të gjithë të kthejnë shpinën.

Serbi e Greku s’janë armiqtë tanë më të mëdhenj, se historia ka dëshmuar që si në rastin e Shqipërisë, por dhe të fqinjëve, armiqtë më të mëdhenjë erdhën nga brenda vendit e nuk ishin të huaj.
Ashtu sic koncepti mbi Ballkanin duhet të ndryshoj, duhet të ndryshoj dhe koncepti që secili prej nesh ka për popullin, kombin, madhështinë e dikurshme të tyre apo pallavrat e demagogjitë qofshin ato fetare apo politike.

Jemi më të ngjashëm sesa mendojmë sepse kemi interesa të përbashkëta, e përpos gjuhës që është një nga vecoritë për të cilën historia ka dëshmuar se mund të kthehet në mjet bashkimi më shumë sesa mjet ndarjeje mes popujve, nuk ka asgjë tjetër që sot ndan një serb nga një malazez, shqiptar, boshnjak, bullgar apo grek. Mjafton që të shohim përtej flamujve dhe të kthejmë sytë nga e ardhmja duke mësuar mirë leksionet e marra nga e kaluara.
-Kevin J.


No comments:

Post a Comment