Sunday, September 24, 2017

Ne dhe mendimi i lirë

Zhvillimet teknologjike dhe afrimi i njerëzve me njëri-tjetrin falë saj, më ka dhënë mundësinë mua dhe shumë të rinjve të tjerë të njihemi me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme të botës, që jetojnë në realitete të ndryshme. Pasja e miqve virtualë, nga shumë vende europiane dhe jo vetëm, më jep mundësinë të shoh se si ata argumentohen dhe dinë të mbrojnë opinionet dhe vlerat te të cilat besojnë.

Sot mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani dhe në profilet e miqve të mi gjermanë, shoh se si persona me bindje të ndryshme politike, debatojnë miqësisht mbi programe e premtime, përtej liderit të partisë apo populizmave që gjithmonë shtohen në kohë fushate.
Nuk ka sharje, nuk ka fyerje por ka debat të mirëfilltë, që në vendin tonë dhe në studiot televizive zor se e gjen. Dhe shumica janë të rinj, mosha ime, jo domosdoshmërisht të angazhuar në politikë, por me besim te politika dhe te vet vendi i tyre.
Sa më shumë komente lexoj, aq më shumë keqardhje më vjen për veten dhe miqtë e mi që po rritemi në një vend ku pasja e një mendimi ndryshe, ndoshta jo si shumica, shihet si armiqësi dhe problem që duhet asimiluar. Mendimet duhet të jenë njëlloj si turma dhe në guxoftë njeri të dalë kundër, përjashtohet nga pseudo debatet që bëhen mes individëve, gjithmonë kur ka të tilla.

Sistemi shkollor jofunksional, që si shumë gjëra të tjera dhe arsimimin dhe dhënien e dijeve e sheh dhe e trajton vetëm në fasadë, nuk përgatit brezat me pjesëmarrjen në debat, nuk nxit mendimin dhe shprehjen e lirë dhe kjo gjë nuk ndodh as në universitete që duhet të jenë tempuj të debatit e mendimit të lirë.

Shoqëria jonë është shumë e ndrydhur dhe mendjengushtë dhe për këtë fakt biem dakord të gjithë, viktima ndoshta dhe të një sistemi që për një mori arsyesh nuk u luftua dot dhe la plagë të mëdha që akoma prekin shumë njerëz, por fakti që shumica nuk e di as pse ka një mendim të caktuar apo pse përkrah një ideologji, është më tragjik sesa vetë fati i vendit tonë.
Prandaj dua të pyes turmat dhe ata që bëjnë pjesë në turma: Pse?
Bëjini vetës pyetjen pse! Pse mendoj kështu? A është vërtetë i drejtë ky qëndrim që po mbaj? A duhet të mendoj dhe unë si të tjerët?
Pyesni veten dhe për cdo nënpyetje që do ju dalë nga kjo pyetje, edukohuni. Lexoni, kërkoni, pyesni apo konsultohuni me burimet e shumta të informacionit mbi pyetjet që ju lindin dhe mësoni të mbroni mendimin tuaj.
Jemi të ndrydhur e na mungon liria sepse shoqëria jonë kolektiviste nuk na jep mundësinë të ushqejmë individualitetin tonë e të krijojmë një botë tonën të sigurt nga sulmet që vinë nga jashtë.
Që të vegjël prindërit na rrisin me idenë për tu bërë pjesë e turmave, për tu integruar në shoqëri si të gjithë të tjerët, por nuk na mëson njeri si ta ndryshojmë atë. Na nxisin të përkrahim më të fuqishmit e më të pushtetshmit, edhe nëse vendimet e tyre janë të gabuara, më mirë të bashkohemi me fajtorët sesa të izolohemi me të drejtët.
Nuk dua të merrem me mënyrën e edukimit të prindërve se është temë shumë e gjerë, por cdokush që është i aftë të përdorë një llogari Facebooku, është plotësisht i aftë dhe të edukojë vetveten.

Shprehuni të lirë dhe jini të sinqertë fillimisht me veten, mendoni, reflektoni, argumentoni dhe kini një opinion.  Edhe nëse do ju duket shumë radikal, është më mirë ta kini e të dini ta mbroni, sesa të rrini të heshtur e të bëheni bashkëfajtorë në ndrydhjen e mëtejshme të shoqerisë.

Mbroni mendimin e lirë sa herë shihni dikë që përpiqet t’i dalë kundër kësaj të drejte themelore që shkruhet në muret e shkollave tona, por nuk mësohet si të formohet. Më mirë të ketë kaos nga ideologji të shumtë që s’bien dakord me njëra-tjetrën, sesa kaos nga mungesa e tyre dhe nga gjumi kolektiv që kaplon një popull të paaftë për të mbrojtur veten e tij.

-Kevin

No comments:

Post a Comment