Tuesday, October 24, 2017

Pse lotaria dhe jo Shqipëria?

Në ditët e fundit, një teatër në kulmet e patetizmit po shfaqet në të gjithë mediat e po shihet me vëmendje nga i madh e i vogël. Një teatër, nga të shumtit, që po tregon sfidën e parë të reformës në drejtësi e po vërteton se sa hibrid mbetet shteti shqiptar dhe demokracia e tij.

Nuk qëndron problemi të një zyrtar i korruptuar e te një ministër që akuzohet si bashkëpuntor me krimin, se të tillë ka pasur e do ketë gjithmonë, por problemi i vërtetë është shembulli që po jepet dhe se si po degjenerohet aq shumë koncepti i shtetit në Shqipëri, koncepti dhe pritshmëria për të ardhmen e saj.

Pasi sheh disa orë mbledhjet e grupeve të kuvendit që u ngjajnë gjyqeve famëkeqe të kohës së shkuar, aq më shumë të shtohet dëshira që në një mënyrë ose një tjetër të zhdukesh nga ky vend e të shpëtosh nga teatro të tilla. 

Problemi nuk është imuniteti i Tahirit, po ekzistenca e imunitetit për parlamentarët tanë.
Problem nuk është kalimi i kompetencave të deputetëve të Këshillit të Mandateve, por trajtimi i Prokurorëve si leckë.
Problem nuk është Banda e Habilajve, por pasqyrimi që i bëhet asaj në Media.
Problem nuk është krimi e narkotikët, por individët, që zgjedhin më mirë një vend të padrejtë nga i cili të largohen sesa një politikan të hetohet e të kaloj sikur dhe disa orë në burg.

Në vazhdën e vuajtjeve të përditshme të Shqiptarëve, taksat po ngrihen, ushqimet po shtrenjtohen, tregtia po bie, investitorët po ja mbathin, mijëra fëmijë e familje vazhdojnë të uritur, por jo, asgjë nuk ja kalon një shfaqjeje tragji komike që po transmetohet 24 orë pa pushim. Çudia këtë rradhë duket se e kaloi cakun e 3 ditëve e do vazhdojë dhe për 3 të tjera.

Kudo flitet për Saimir Tahirin si individ, e jo për të si fenomen. Nuk dihet a është fajtor a viktimë, e ndoshta nuk do merret vesh kurrë, por është frustruese të kërkosh të shohësh dritën në fund të tunelit, kur mendjet tona, të një populli të tërë bien akoma pre e propagandës dhe inskenimeve aq madhështore sa që as trupa e aktorëve profesionist të Teatrit Kombëtar, nuk do mund ta sillte në skenë kaq madhërishëm.

Tahiri mbetet kryefjalë, ndërkohë që aplikimet për llotarinë amerikane vazhdojnë. Të gjithë drejtohen drejt amerikës e kur vjen puna për prekjen e idhujve e shembjen e kulteve të individëve, Amerika kthehet në armik, e armiku në bashkëvuajtës.

Ne e kemi shumë të vështirë t'i shpëtojmë kulteve të tilla, duket sikur janë të rrënjosur në ADN tonë. Nga Sulltani te Diktatori e tani te Kryeministrat, Presidentët e Ministrat.
Ndoshta si rrënjosja e këtyre figurave, është rrënjosur dhe imazhi i Shteteve të Bashkuara si rruga e vetme e shpëtimit.

Shqipëria nuk bëhet se jemi të vendosur për të ndërtuar shtete të tjera, për të qenë skllevër të së shkuarës sonë.
Shqipëria nuk bëhët se shqiptarizmi ka vdekur, nëse ka ekzistuar ndonjëherë.
Shqipëria nuk bëhët se mesa duket nuk ka më shqiptar.
Jemi të gatshëm të kërrusemi e të gjunjëzohemi para punëve të vështira, të futemi në kamionë e kampe refugjatësh e të përfundojmë dhe në burgje apo banesa sociale, vetëm për të shpëtuar nga ky ferr që vet kemi krijuar.

Siç është kulti amerikan,ashtu është dhe kulti Tahiresk dhe njëlloj ndodh dhe me kultin Shqiptar e të Shqipërisë që nuk bëhët.

Unë aplikova si shumë prej jush, për herë të parë e duke shpresuar që do jetë hera e vetme dhe e fundit, por derisa të dalin rezultatet, mbyllni televizorin e dilni nga Facebooku, shembni kultet qe keni në mendjet tuaja, pastroni syt e veshët nga zhurma e shtetit si koncept abstrakt që duhet ndërtuar nga politika,e përvishni mëngët për të bërë shtetin me duart tuaja, me veprime të vogla e vizione të mëdha.


Mediokriteti mund të vazhdojë ta trumpetojë shtetin si parim politik, por njerzillëku dhe qënia juaj si individ duhet të lirohet nga konceptet e së shkuarës që vazhdojnë të burgosin mendjet e brezave me rradhë.

Kevin J.

Sunday, September 24, 2017

Ne dhe mendimi i lirë

Zhvillimet teknologjike dhe afrimi i njerëzve me njëri-tjetrin falë saj, më ka dhënë mundësinë mua dhe shumë të rinjve të tjerë të njihemi me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme të botës, që jetojnë në realitete të ndryshme. Pasja e miqve virtualë, nga shumë vende europiane dhe jo vetëm, më jep mundësinë të shoh se si ata argumentohen dhe dinë të mbrojnë opinionet dhe vlerat te të cilat besojnë.

Sot mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani dhe në profilet e miqve të mi gjermanë, shoh se si persona me bindje të ndryshme politike, debatojnë miqësisht mbi programe e premtime, përtej liderit të partisë apo populizmave që gjithmonë shtohen në kohë fushate.
Nuk ka sharje, nuk ka fyerje por ka debat të mirëfilltë, që në vendin tonë dhe në studiot televizive zor se e gjen. Dhe shumica janë të rinj, mosha ime, jo domosdoshmërisht të angazhuar në politikë, por me besim te politika dhe te vet vendi i tyre.
Sa më shumë komente lexoj, aq më shumë keqardhje më vjen për veten dhe miqtë e mi që po rritemi në një vend ku pasja e një mendimi ndryshe, ndoshta jo si shumica, shihet si armiqësi dhe problem që duhet asimiluar. Mendimet duhet të jenë njëlloj si turma dhe në guxoftë njeri të dalë kundër, përjashtohet nga pseudo debatet që bëhen mes individëve, gjithmonë kur ka të tilla.

Sistemi shkollor jofunksional, që si shumë gjëra të tjera dhe arsimimin dhe dhënien e dijeve e sheh dhe e trajton vetëm në fasadë, nuk përgatit brezat me pjesëmarrjen në debat, nuk nxit mendimin dhe shprehjen e lirë dhe kjo gjë nuk ndodh as në universitete që duhet të jenë tempuj të debatit e mendimit të lirë.

Shoqëria jonë është shumë e ndrydhur dhe mendjengushtë dhe për këtë fakt biem dakord të gjithë, viktima ndoshta dhe të një sistemi që për një mori arsyesh nuk u luftua dot dhe la plagë të mëdha që akoma prekin shumë njerëz, por fakti që shumica nuk e di as pse ka një mendim të caktuar apo pse përkrah një ideologji, është më tragjik sesa vetë fati i vendit tonë.
Prandaj dua të pyes turmat dhe ata që bëjnë pjesë në turma: Pse?
Bëjini vetës pyetjen pse! Pse mendoj kështu? A është vërtetë i drejtë ky qëndrim që po mbaj? A duhet të mendoj dhe unë si të tjerët?
Pyesni veten dhe për cdo nënpyetje që do ju dalë nga kjo pyetje, edukohuni. Lexoni, kërkoni, pyesni apo konsultohuni me burimet e shumta të informacionit mbi pyetjet që ju lindin dhe mësoni të mbroni mendimin tuaj.
Jemi të ndrydhur e na mungon liria sepse shoqëria jonë kolektiviste nuk na jep mundësinë të ushqejmë individualitetin tonë e të krijojmë një botë tonën të sigurt nga sulmet që vinë nga jashtë.
Që të vegjël prindërit na rrisin me idenë për tu bërë pjesë e turmave, për tu integruar në shoqëri si të gjithë të tjerët, por nuk na mëson njeri si ta ndryshojmë atë. Na nxisin të përkrahim më të fuqishmit e më të pushtetshmit, edhe nëse vendimet e tyre janë të gabuara, më mirë të bashkohemi me fajtorët sesa të izolohemi me të drejtët.
Nuk dua të merrem me mënyrën e edukimit të prindërve se është temë shumë e gjerë, por cdokush që është i aftë të përdorë një llogari Facebooku, është plotësisht i aftë dhe të edukojë vetveten.

Shprehuni të lirë dhe jini të sinqertë fillimisht me veten, mendoni, reflektoni, argumentoni dhe kini një opinion.  Edhe nëse do ju duket shumë radikal, është më mirë ta kini e të dini ta mbroni, sesa të rrini të heshtur e të bëheni bashkëfajtorë në ndrydhjen e mëtejshme të shoqerisë.

Mbroni mendimin e lirë sa herë shihni dikë që përpiqet t’i dalë kundër kësaj të drejte themelore që shkruhet në muret e shkollave tona, por nuk mësohet si të formohet. Më mirë të ketë kaos nga ideologji të shumtë që s’bien dakord me njëra-tjetrën, sesa kaos nga mungesa e tyre dhe nga gjumi kolektiv që kaplon një popull të paaftë për të mbrojtur veten e tij.

-Kevin

Friday, September 1, 2017

O sa turp me qen shqiptar!


Nesër gjithë Shqipëria do jetë me sytë nga "Elbasan Arena". Të marrosur pas dritave të stadiumit, do shpresojmë për fitore, që të nesërmen të gjakosim profilet në Facebook me foto të flamurit, të Skëndërbeut ose ndonjë rilindasi me ndonjë shprehje patriotike dhe të postojmë këngën e Elvana Gjatës ose Xhamadanin.
Gjakosja e Facebook-ut, do veshi sytë e shumicës e do harrojnë, nëse ndonjëherë e kanë kuptuar, sa turp na vjen sot ta quajmë veten shqiptar.

Pasi të ketë rënë euforia, e nga fotot e flamurit të kalojmë te fotot me flamurin e Francës, do futemi në postimet e portaleve e do fillojmë atë që dimë të bëjmë më mirë, të terrorizojmë njëri-tjetrin me komente e të terrorizohemi nga lajmet e kronikës së zezë, duke filluar gjuetinë e shtrigave për gjetjen e fajtorit për palumturinë e turpin që ndjejmë sot për ta quajtur veten shqiptar.

Disa do ja vendosin fajin qeverisë, ca të tjerë opozitës, shumë do fajësojnë drejtësinë dhe situatën ekonomike. Një pjesë do fajësoj myslimanët, të tjerët katolikët, dikush budistët e shumëkush hebrenjtë. Gjysma do akuzoj gratë, gjysma tjetër burrat. Për disa fajin e ka imoraliteti e për disa të tjerë shoqëria mendjengushtë dhe e ndrydhur. Ca do thërrasin Enverin e Hitlerin, më pas do vinë mbështetësit e Erdoganit, Trump-it, Berluskon-it, Merkel-it e Kim Jong Un-it. 
Në mes të këtyre komenteve del ndonjë trim  që vendos numrin e telefonit, me shpresën e dëshirën e gjetjes së nuses me letra në emigracion dhe është gjithmonë dikush që qetëson gjakërat duke postuar ndonjë foto pëllumbi të bardhë ose ndonjë degë ulliri.

Të gjithë e kanë fajin, vetëm shqiptarët jo. Krenar për historinë e lavdishme e qëndresën e pashoq që kemi bërë kundër pushtuesve. Autoktonë në trojet tona se kështu thoshte droni i Ballistit. Ksenofobë e plot urrejtje se jemi rracë e pastër dhe e papërzier. Seksistë e homofobë se familjen e kemi të shenjtë. Servila e mashtrues se kështu është gjithë Europa. Vrasës, trafikantë, trima e hajdutë se jemi besimtar të devotshëm.

Si mundet një i ri apo e re, që ka akoma një fije shprese për këtë vend, që i bie rasti të jetoj në Shqipëri, të krenohet me këtë vend? Po sikur të na pyesi dikush pse je krenar, si do t’i përgjigjemi?

Për natyrën si themi dot se nuk kemi lënë pemë pa prerë e plazh pa betonizuar. Për historinë si themi dot se nuk e njohim, por e kemi marrë shabllon si të huajt na e kanë shkruar. T’i thuash për kulturë e tradita nuk di t’ia përshkruash. Për njerëzit mund t’i listosh shqiptarët e suksesshëm në botë po më shumë dëgjohet e flitet për mafiozët.
Shyqyr dimë ti biem topit e të paktën ja kalojmë fqinjëve në Ballkan në këtë fushë.

Unë, si dhe shumë të rinj të tjerë, pavarësisht zhgënjimeve e padrejtësive që hasim përditë, dua të jetoj këtu. Nuk ndjej ndonjë patriotizëm të flaktë, po jam i ndërgjegjshëm për problemet që ka ky vend e cilat gjëra duhen ndryshuar.

Po kur sheh rrugët plot me fëmijë që injorohen e keqtrajtohen, që detyrohen të kërkojnë lëmoshë e nuk njohin gjë tjetër përvec urisë si të ndihem krenar?!  Kur dëgjon që ndodhin vrasje përditë e kur kupton që jeta jote vlen më pak se një karikues telefoni, kur njerëz të sëmurë nuk arrijnë të kuptojnë se s’kanë në pronësi jetën e askujt, me kë të krenohem unë?!

Kur përdhoset heroi e lavdohet diktatori, kur shtypen të rinjtë e duartrokiten të korruptuarit, kur nuk protestohet po hahen qofte, ku nuk ka punë por ka skllavëri, kur ikin studentët e kthehen azilantët, ku janë universitetet plot po prodhojmë analfabetë, si ta vendos dhe unë atë flamurin kuq e zi në foton e profilit se s'ma bën dora???

Gjithsesi rëndësi ka të fitojmë ndeshjen nesër, se imagjinoni një zhgënjim më shumë. Të paktën do fitoj Elvana Gjata ca lek më shumë se do i rriten klikimet e shpresojmë të ketë sukses në Hollywood, se i kam shkuar në koncert njëherë, e do kem me kë të krenohem.

-Kevin J.

Saturday, August 26, 2017

#1 Si vis pacem, para bellum

n'Metropol do të jetë diçka më shumë sesa thjesht një blog personal.

Do të jetë një përzierje mendimesh, shkrimesh, fotosh, idesh
 dhe mbi të gjitha një përmbledhje e jetës së përditshmë të çdokujt në Tiranën tonë të rrëmujshme e të gjallë.

Jemi 24/7 online, por qe thuajse askush nuk ben qe te ndihet prezenca e tij/saj. Jemi rinia me pa ze qe ka pasur ndonjehere ky vend dhe eshte per te ardhur keq. Te gjithe duhet te fillojme te reflektojme e te perpiqemi te ndryshojme sadopak.


Duhen zera te forte, duhet debat, duhen argumente dhe ballafaqim. Duhet te perballemi me realitetin shqiptar e ta sfidojme ate.

n'Metropol do të jetë një sfidë që i kam vendosur vetes, me dëshirën e madhe për të ndryshuar dicka sado të vogël në rrëmujën e madhe ku jetojmë.

n'Metropol jam unë dhe shpresoj shumë që të jesh dhe ti! 
-K.

#nMetro

Mendim. Kurajo. Ndryshim.

                         Related image